البحث

عبارات مقترحة:

الشكور

كلمة (شكور) في اللغة صيغة مبالغة من الشُّكر، وهو الثناء، ويأتي...

اللطيف

كلمة (اللطيف) في اللغة صفة مشبهة مشتقة من اللُّطف، وهو الرفق،...

العفو

كلمة (عفو) في اللغة صيغة مبالغة على وزن (فعول) وتعني الاتصاف بصفة...

Mjete të përshtatshme për një jetë të rehatshme

الألبانية - Shqip

المؤلف عبد الرحمن بن ناصر السعدي ، Sedat Islami
القسم كتب وأبحاث
النوع نصي
اللغة الألبانية - Shqip
المفردات الرقائق والمواعظ
Ky libër flet për shkaqet dhe mënyrat të cilat ia mundësojnë atij që i zbaton ato, të gjejë gëzimin, lumturinë dhe qetësinë shpirtërore dhe ia largojnë atij brengat, trishtimin dhe vuajtjet.

التفاصيل

Mjete të përshtatshme për një jetë të rehatshme Parathënie Kapitulli I SHKAQET MË TË RËNDËSISHME TË LUMTURISË JANË BESIMI DHE VEPRA E MIRË · për shkak të frikës nga humbja e mirësive dhe dhuntive; · për shkak të kundërshtimeve që do të hasë si pasojë e posedimit të tyre (xhelozia e smira); · për shkak të lakmisë përvëluese që të posedojë më shumë, sepse egoja nuk njeh kufij, ndaj kërkon shumë e më shumë, çka nuk dihet se a do të mund t'i shtojë apo jo, madje, edhe nëse ndodh kjo, prapëseprapë, për shkaqet e përmendura më lart, nuk ndihet i qetë dhe i sigurt. Kapitulli II SHKAQET QË E LARGOJNË ANKTHIN E SHKAKTUAR NGA TENDOSJA NERVORE E PREOKUPIMI I ZEMRËS ME GJËRA TË PAVLERA Kapitulli III SHKAKU MË I RËNDËSISHËM I PREHJES DHE QETËSISË SHPIRTËRORE Kapitulli IV SHKAQET QË SJELLIN GËZIMIN DHE LARGOJNË BRENGAT E PIKËLLIMIN Kapitulli V SHKAQET MË EFEKTIVE PËR LARGIMIN E PIKËLLIMIT DHE BRENGAVE KUR NA GODET NDONJË FATKEQËSI Kapitulli VI ILAÇET MË TË RËNDËSISHME PËR SHËRIMIN E SËMUNDJEVE SHPIRTËRORE, NERVORE DHE FIZIKE Kapitulli VII RRETH FJALËS SË MUHAMEDIT ﷺ: Besimtari nuk e urren besimtaren... Kapitulli VIII PËR TË MENÇURIN QË E DI SE JETA E TIJ E VËRTETË ËSHTË JETA E LUMTURISË DHE QETËSISË DHE SE AJO ËSHTË E SHKURTËR BIOGRAFI E SHKURTËR E AUTORIT Hoxhë Abdurrahman Es Sadi ka mësuar te dijetarë të njohur, si: · Hoxhë Ibrahim ibn Hamed ibn Xhasiri, që ka qenë mësuesi i tij i parë; · Hoxhë Salih ibn Othmani, që ka qenë edhe gjykatës i Unejzës. · Te hoxhë Salihu ka mësuar usulin, fikhun, teuhidin, tefsirin dhe gjuhën arabe, tek i cili i vijoi mësimet derisa vdiq ky i fundit. · Tejsirul Kerimi Rrahman fi tefsiri Kelamil Menan (تيسير الكريم الرحمن في تفسير كلام المنان), tetë vëllime; · Tejsirul Letifil Menan fi hulasati tefsiril Kuran (تيسير اللطيف المنان في خلاصة تفسير القرآن); · El Kavaidul hisan li tefsiril Kuran (القواعد الحسان لتفسير القرآن). Natyrisht që ka edhe vepra të tjera të rëndësishme, disa prej të cilave, si propozim dhe këshillë për t'i përvetësuar, po jua paraqesim në vijim: · El Irshad ila marifetil ahkam (الإرشاد إلى معرفة الأحكام); · Er Rrijad en-nadireh (الرياض الناضرة); · Behxhetu kulubil ebrar (بهجة قلوب الأبرار); · Menhexhu es salikine ue teudihul fikhi fid din (منهج السالكين وتوضيح الفقه في الدين); · Hukmu shurbi duhan ue bejihi ue shiraihi (حكم شرب الدخان وبيعه وشرائه); · El Fetava es sadijeh (الفتاوى السعدية); · El Hakkul uadihul mubin bi sherhi teuhidil enbijai uel murselin (الحق الواضح المبين بشرح توحيد الأنبياء والمرسلين); · Teudihul kafijeti shafijeh (توضيح الكافية الشافية (نونية ابن القيم)). Mjete të përshtatshme për një jetë të rehatshmeالوسائل المفيدة للحياة السعيدةبسم الله الرحمن الرحيمMe emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit! ParathënieFalënderimi i takon Allahut, për të Cilin është i tërë falënderimi. Dëshmoj se nuk ka zot që meriton të adhurohet me të drejtë përveç Allahut, të Vetmit, që nuk ka shok, dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij. Lëvdatat e Allahut qofshin mbi të, mbi familjen dhe mbi shokët e tij!Çdo njeri në këtë botë synon të arrijë kënaqësi shpirtërore, të jetë i lumtur si dhe të mos vuajë nga brengat dhe problemet e ndryshme. Kjo, ngase vetëm kështu jetësohet jeta e bukur dhe arrihen lumturia e kënaqësia. Për të ardhur deri në këtë gjendje lumturie shpirtërore, duhet ndjekur disa rrugë fetare, disa të tjera natyrore dhe disa të treta praktike, të cilat, përveç besimtarit, askush tjetër nuk mund t'i harmonizojë. Të tjerët, edhe nëse arrijnë t'i sigurojnë këto kushte nga ndonjë këndvështrim, për të cilin dijetarët e tyre japin maksimumin, i arrijnë të paplota, rrjedhimisht nuk japin efekte të duhura.Unë, në këtë shkresë timen, do të përmend shkaqet që më kujtohen për këtë dëshirë e qëllim, për të cilat angazhohet dhe punon çdo njeri. Ka njerëz që kanë arritur të përvetësojnë një sërë të tërë shkaqesh të lumturisë, rrjedhimisht kanë bërë një jetë të lumtur dhe të qetë. Ka të tjerë që kanë ndjekur ndonjë kurs tjetër, të kundërt, duke u privuar nga këto shkaqe, andaj për pasojë bëjnë jetë të shthurur, të rëndë dhe dëshpëruese. Ka edhe të atillë që kanë ndjekur rrugën ndërmjet dy rrugëve të sipërpërmendura, ndaj kanë bërë një jetë varësisht animit shpirtëror që kanë pasur.Vetëm Allahu e bekon mirësinë dhe tek Ai mbështetemi për të realizuar çdo të mirë e për të larguar çfarëdo të keqe. Kapitulli I SHKAQET MË TË RËNDËSISHME TË LUMTURISË JANË BESIMI DHE VEPRA E MIRËNdër shkaqet më të rëndësishme për të arritur lumturinë dhe kënaqësinë shpirtërore janë besimi dhe vepra e mirë. Allahu i Madhëruar thotë:﴿ مَنۡ عَمِلَ صَٰلِحٗا مِّن ذَكَرٍ أَوۡ أُنثَىٰ وَهُوَ مُؤۡمِنٞ فَلَنُحۡيِيَنَّهُۥ حَيَوٰةٗ طَيِّبَةٗۖ وَلَنَجۡزِيَنَّهُمۡ أَجۡرَهُم بِأَحۡسَنِ مَا كَانُواْ يَعۡمَلُونَ ﴾“Cilindo mashkull apo femër që kryen vepra të mira, duke qenë besimtar, Ne do ta bëjmë që të kalojë jetë të bukur dhe do ta shpërblejmë sipas veprave më të mira, që ka bërë." (En Nahl, 97)Allahu i Madhëruar i lajmëroi dhe u premtoi të gjithë atyre që në këtë botë e harmonizojnë besimin (e pastër në Të) dhe veprën e mirë se si shpërblim do ta kenë jetën e lumtur dhe shpërblimin e mirë në këtë dhe në botën tjetër. Shkaku i këtij shpërblimi të besimit dhe veprës së mirë është i qartë: besimtarët që kanë besim të pastër në Allahun, fryt i të cilit është vepra e mirë, që përmirëson zemrën, pastron moralin dhe e fisnikëron atë, si dhe përmirëson dynjanë dhe ahiretin e tij (sjelljet dhe raportet e tij karshi tyre, si koncepte dhe veprime), posedojnë arsenalin e duhur shpirtëror dhe kuptimor për të përqafuar çdo shkak të lumturisë dhe kënaqësisë, (në njërën anë,) dhe (duke iu kundërpërgjigjur shkaktarëve të) frikës, ankthit, brengës dhe dëshpërimit (në anën tjetër). Të dashurat dhe të gëzueshmet (mirësitë dhe begatitë) i pranojnë siç është më së miri, duke falënderuar (Allahun për to), si dhe duke i vënë në funksion dhe në shërbim të së mirës. E, kur të kenë vepruar kësisoj, atëherë ky shfrytëzim i mirë i këtyre begative e dhuntive shkakton një ndjesi të veçantë gëzimi dhe kënaqësie, një dëshirë dhe kërshëri për t'i pasur në posedim dhe vazhdimisht për të përfituar prej tyre, një shpresë për të përfituar (po kështu) nga shpërblimi i falënderuesve, gjëra këto që, ndonëse janë fryt dhe rezultat i këtyre mirësive dhe begative (të dhuruara fillimisht), me të mirat e me bereqetin e tyre, ua kalojnë atyre. Ndërkaq, të padëshiruarat, të dëmshmet, brengën dhe pikëllimin, nëse kanë mundësi t'i sfidojnë, i sfidojnë, përndryshe mundohen ta lehtësojnë barrën e tyre maksimalisht, duke shfaqur durimin e bukur për atë që duhet duruar. Kështu, si rezultat i këtij ballafaqimi dinjitoz kundrejt të ligave dhe të këqijave, i këtyre përvojave dhe kësaj force (të tejkalimit), i këtij durimi të madh dhe bindjes së shpërblimit nga fatkeqësitë, përfitojnë gjëra madhështore, përballë të cilave fatkeqësia tretet, zënë vend gjërat e gëzueshme, shpresa pozitive dhe lakmia e pasioni për mirësitë dhe shpërblimet e Allahut, mu ashtu siç është shprehur i Dërguari i Allahut, Muhamedi ﷺ:»عجبًا لأمرِ المؤمنِ، إن أمرَه كلَّه خيرٌ، وليس ذاك لأحدٍ إلا للمؤمنِ، إن أصابته سراءُ شكرَ، فكان خيرًا له، وإن أصابته ضراءُ صبر، فكان خيرًا له.«“Është për t'u çuditur me çështjen e besimtarit sepse tërë puna e tij është mirësi. Kjo vlen vetëm për besimtarin. Kështu, nëse i ndodh ndonjë gëzim, falënderon, gjë që është mirë për të. Ndërkaq, nëse e godet ndonjë gjë e keqe, duron, çka është mirë për të." (Shënon Muslimi)Pejgamberi ﷺ lajmëroi se besimtarit i shumëfishohet përfitimi, e mira dhe frytet e veprës së tij në çdo gjë që i ndodh, qoftë ajo e mirë apo e keqe. Për këtë shkak ndodh të hasësh dy lloje njerëzish, që begatohen me ndonjë të mirë apo sprovohen me ndonjë të keqe dhe, përkundër kësaj, dallimi ndërmjet tyre, për shkak të konceptit të besimit dhe veprës së mirë, është sikurse dallimi ndërmjet lindjes dhe perëndimit. Besimtari i pranon të mirat dhe të ligat sipas konceptit të përshkruar më lart, ndaj në njërën anë përballet me një ndjesi kënaqësie dhe gëzimi dhe në anën tjetër me një forcë dhe kurajë për tejkalimin e të këqijave (brengave, problemeve, stresit, ankthit, dëshpërimit, zemërngushtësisë), kështu që përfundimisht në të dyja rastet ai realizon një jetë të bukur (apo siç e ka quajtur Allahu hajat tajibeh). Ndërkaq, tjetri (jobesimtari) që pranon të mirat me arrogancë, mendjemadhësi, mosmirënjohje dhe përbuzje, do të ketë moral të shthurur dhe ato dhunti e mirësi do t'i pranojë siç i pranon kafsha: me lakmi e panik (se mos po ia rrëmbejnë) dhe, megjithëkëtë, ai nuk do të jetë i lumtur dhe nuk do të ndihet i qetë. Përkundrazi, do të jetë i shpërqendruar dhe i traumatizuar për shumë arsye, si: · për shkak të frikës nga humbja e mirësive dhe dhuntive; · për shkak të kundërshtimeve që do të hasë si pasojë e posedimit të tyre (xhelozia e smira); · për shkak të lakmisë përvëluese që të posedojë më shumë, sepse egoja nuk njeh kufij, ndaj kërkon shumë e më shumë, çka nuk dihet se a do të mund t'i shtojë apo jo, madje, edhe nëse ndodh kjo, prapëseprapë, për shkaqet e përmendura më lart, nuk ndihet i qetë dhe i sigurt.Sakaq, të ligat dhe sprovat i pret me frikë, ankth, zemërngushtësi, stres... Mos pyet se ç'vuajtje i shkaktojnë. Ia nxijnë jetën dhe i shkaktojnë sëmundje (të shumta) neurologjike, psikike e fizike. Me gjasë frika e çon në një gjendje tejet të keqe dhe shumë shqetësuese, ngase nuk e shpreson shpërblimin (në sprovë e fatkeqësi), ashtu siç nuk duron, që të paktën durimi të jetë ngushëllim për të dhe t'ia lehtësojë problemet. Këto gjëra janë dëshmuar edhe me prova. Po ta aplikosh te njerëzit e sprovuar, do ta vëresh qartë dallimin ndërmjet besimtarit, që vepron në përputhje me besimin e tij, dhe të tjerëve, që nuk janë kështu. Kjo nënkupton se feja i nxit njerëzit të pajtohen dhe të ndahen të kënaqur me caktimin e Allahut, me pasurinë dhe me furnizimin e përcaktuar nga Ai, me mirësitë e begatitë e shumta që Ai u ka dhënë robërve. Kur besimtari sprovohet me gjërat që rëndom sprovohen njerëzit, si: sëmundje, varfëri etj., do ta shohësh se pajtohet me caktimin e Allahut. Madje, jo vetëm kaq, por edhe tek ndahet i kënaqur dhe i qetë shpirtërisht sepse nuk dëshiron gjë tjetër përveç asaj që Allahu ia ka caktuar. Nëse besimtari vetëkrahasohet, e krahason veten me atë që gjendjen materiale e ka më të ulët se ai, e jo me atë që ka më shumë pasuri. Bile, ndien gëzim dhe kënaqësi shpirtërore tek sheh atë që Allahu e ka begatuar me dhuntinë e kënaqësisë dhe pajtimit (me caktimin e Allahut) duke realizuar të gjitha dëshirat dhe ëndrrat e tij sa i përket pasurisë dhe begative materiale.Por kështu nuk është puna me të tjerët ose me atë që nuk vepron sipas besimit të tij. Këta, po u sprovuan me varfëri ose mungesë të të mirave materiale, do t'i shohësh tek t'i përshkruajnë hallet dhe dertet e tyre sikur është fundi i botës. Të tillët të shfaqen në kulmin e dëshpërimit dhe pesimizmit. Një shembull tjetër: Në kohë frike, paniku e krize atë që ka besim të shëndoshë do ta shohësh të vendosur, të pathyeshëm, të qetë shpirtërisht, të aftë për të menaxhuar dhe për të kontrolluar këtë gjendje me idetë, fjalët dhe veprat e tij. Ndonëse nuk është gjendje e mirë, ai ambientohet me të, dhe pikërisht kjo i dhuron lehtësim shpirtëror dhe ia forcon zemrën. Në një kontrast tjetër do ta shohësh atë që nuk e ka besimin. Atë, po i ndodhi ndonjë e ligë, do ta shohësh të rraskapitur shpirtërisht, të dërrmuar, të shpërqendruar, të frikësuar dhe të stresuar, do ta gjesh tek vuan nga frika e jashtme dhe e brendshme, të cilën nuk mund ta përshkruajnë fjalët. Kësaj kategorie njerëzish nëse nuk i jepen në dispozicion disa shkaqe natyrore që kanë nevojë për ushtrim të shumtë, atëherë, për shkak të besimit i cili të dhuron durimin dhe sabrin në kohë vështirësish dhe gjendjesh të rënda e pikëlluese, fuqitë e tyre shpirtërore do të rrënohen, ndërsa gjendja e tyre psikike do të tendoset. I miri dhe i keqi, besimtari dhe jobesimtari janë të njëjtë sa i përket përfitimit të tiparit të guximit dhe të instinktit që lehtëson gjendjen shpirtërore apo shkarkon atë nga barra e frikës. Mirëpo, ajo që e dallon besimtarin është forca e besimit të tij, durimi dhe mbështetja në Allahun, si dhe shpresa ose llogaritja në shpërblimin e Allahut, gjëra këto që guximit i japin kuptim, që shkarkojnë frikën dhe i lehtësojnë fatkeqësitë, mu ashtu siç ka thënë Allahu i Madhëruar:﴿ إِن تَكُونُواْ تَأۡلَمُونَ فَإِنَّهُمۡ يَأۡلَمُونَ كَمَا تَأۡلَمُونَۖ وَتَرۡجُونَ مِنَ ٱللَّهِ مَا لَا يَرۡجُونَۗ وَكَانَ ٱللَّهُ عَلِيمًا حَكِيمًا ﴾“Nëse ndieni dhembje prej luftës, edhe ata ndiejnë dhimbje ashtu si edhe ju. Mirëpo ju shpresoni prej Allahut atë që ata nuk e shpresojnë. Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë." (En Nisa, 104)Krahas këtyre, këto tipare a karakteristika të besimtarit atij i dhurojnë edhe ndihmë dhe përkrahje të veçantë nga Allahu, me të cilat ai e shkatërron dhe e zhbën frikën. Allahu i Madhëruar thotë:﴿ وَٱصۡبِرُوٓاْۚ إِنَّ ٱللَّهَ مَعَ ٱلصَّٰبِرِينَ ﴾“Bëhuni të durueshëm, se Allahu, me të vërtetë, është me të durueshmit." (El Enfal, 46)Si shkak tjetër apo mënyrë me të cilën largohen brengat, shqetësimet e pikëllimi është edhe bamirësia ndaj njerëzve me fjalë e vepra. Bamirësia është e rëndësishme sepse Allahu i Madhëruar përmes saj largon të këqijat dhe të ligat nga i miri dhe jo vetëm nga ai. Arsyeja pse besimtari, në krahasim me të tjerët, ka hise më të madhe në përfitimet nga bamirësia është se kjo e fundit tek ai është si produkt i sinqeritetit dhe llogaritjes në shpërblimin e Allahut. Meqë shpreson në të mirën (sevapin dhe shpërblimin), Allahu i Madhëruar ia lehtëson pjesëmarrjen në vepra të mira dhe angazhimin konkret në to, sikur që ia largon edhe të këqijat. Allahu i Madhëruar ka thënë:﴿لَّا خَيۡرَ فِي كَثِيرٖ مِّن نَّجۡوَىٰهُمۡ إِلَّا مَنۡ أَمَرَ بِصَدَقَةٍ أَوۡ مَعۡرُوفٍ أَوۡ إِصۡلَٰحِۢ بَيۡنَ ٱلنَّاسِۚ وَمَن يَفۡعَلۡ ذَٰلِكَ ٱبۡتِغَآءَ مَرۡضَاتِ ٱللَّهِ فَسَوۡفَ نُؤۡتِيهِ أَجۡرًا عَظِيمٗا ﴾“S'ka kurrfarë të mire në shumë prej bisedave të tyre të fshehta, përveç rastit kur ndokush kërkon që të jepet sadaka ose të kryhet një vepër e mirë apo paqësim ndërmjet njerëzve. Atij që e bën këtë për të fituar kënaqësinë e Allahut, Ne do t'i japim një shpërblim të madh." (En Nisa, 114)Allahu i Madhëruar në këtë ajet kuranor na tregon se të gjitha këto gjëra janë të mira, si dhe e mira e sjell të mirën dhe e largon të keqen. Gjithashtu, na mëson edhe për atë se besimtarit, që llogarit në shpërblim, Allahu do t'i dhurojë shpërblim të madh, pjesë e të cilit gjithsesi se është edhe largimi i brengave, mërzisë, pikëllimit, e të ngjashme. Kapitulli II SHKAQET QË E LARGOJNË ANKTHIN E SHKAKTUAR NGA TENDOSJA NERVORE E PREOKUPIMI I ZEMRËS ME GJËRA TË PAVLERA Ajo që ndihmon për të luftuar frikën dhe ankthin e shkaktuar nga tendosja nervore dhe angazhimi i zemrës me gjëra që nuk janë në interes të saj është edhe angazhimi me ndonjë vepër të mirë ose nxënia e ndonjë diturie të dobishme. Këto krijojnë mur të hekurt ndërmjet zemrës dhe gjërave që shkaktojnë frikën dhe trishtimin e saj, sikur që e bëjnë të harrojë brengat dhe pikëllimin, kështu që ndihet i lumtur, i gjallë dhe me vullnet. Ndonëse në këtë pikë është i njëjtë me të tjerët, besimtari, gjithnjë për shkak të besimit, sinqeritetit dhe llogaritjes në shpërblimin e Allahut, ka hise dhe përfitime më shumë. Ndikimi i dijes që e mëson për veten apo ua mëson të tjerëve, veprimi sipas dijes së nxënë, adhurimit, kryerjes së veprave të tjera të cilat nijeti i shndërron në vepra të dobishme dhe dobiprurëse, synimit, që me këto vepra ta ndihmojë veten për të qenë sa më i fortë në adhurime dhe në rrugën e Allahut, është i atillë që largon brengat, problemet, mërzitë dhe pikëllimin. Ndërkaq, për njeriun e sprovuar me ankth e probleme të tjera nervore dhe shpirtërore harresa është bërë ilaç i shërueshëm dhe efektiv!Për të arritur qëllimin e dëshiruar duhet që vepra me të cilën merret të jetë e dashur për shpirtin dhe tërheqëse për të.Gjë tjetër që ndikon në largimin e ankthit dhe frikës është edhe angazhimi me të tashmen, duke shmangur preokupimin për të ardhmen, por edhe pikëllimin për të kaluarën. Për këtë shkak Muhamedi ﷺ kërkonte mbrojtjen e Allahut kundrejt brengës dhe mërzisë.[1] Mërzia ndodh për shkak të gjërave të së kaluarës, që tashmë nuk mund të kthehen ose të zhbëhen, kurse brenga ndodh për shkak të frikës prej të ardhmes. Kështu, njeriu duhet të merret me të sotmen, të tanishmen, të angazhohet që të përfitojë nga e sotmja, sepse kjo e motivon shpirtin për t'i mbaruar punët, sikur që është një lloj ngushëllimi për brengën e mërzinë. Kur Muhamedi ﷺ bën ndonjë lutje apo nxit umetin që të thotë atë, ai, krahas mbështetjes në Allahun dhe shpresës në mirësitë e Tij, kërkon që të jemi të vendosur në realizimin e kërkesës së parashtruar në lutje, duke u përpjekur për të siguruar ato që mundësojnë plotësimin e kërkesës dhe shmangien e të tjerave që pengojnë atë. Kjo, për shkak se duaja vjen paralel me veprën (angazhimin konkret për të). Besimtari angazhohet për atë që i bën dobi në fe dhe në dynja, ndaj e lut Allahun që qëllimi i tij të ketë sukses dhe Allahu ta ndihmojë në këtë drejtim. Kësisoj na mëson Muhamedi ﷺ. Në hadithin e shënuar nga Muslimi qëndron: »احرص على ما ينفعك واستعن بالله ولا تعجز، وإذا أصابك شيء فلا تقل: لو أني فعلت كذا كان كذا وكذا، ولكن قل: قدر الله وما شاء فعل، فإن لو تفتح عمل الشيطان. «“Ji kureshtar në atë që të bën dobi dhe mbështetu në Allahun e mos ji i dobët. Nëse të ndodh diçka, mos thuaj: “Sikur të veproja kështu, puna do të ishte ndryshe", por thuaj: “Allahu e ka caktuar, Ai bën ç'të dojë", ngase (fjala) “sikur" ia hap punën (rrugën) djallit."Pejgamberi ﷺ në këtë hadith çështjen e ka përmbledhur ndërmjet kureshtjes në përvetësimin e gjërave të dobishme, mbështetjes në Allahun dhe në mosnënshtrimin ndaj dobësisë, imazhe të së cilës janë dembelia dhe përtacia e dëmshme, në njërën anë, dhe nënshtrimit ndaj të kaluarës dhe vëzhgimit të caktimit të Allahut, në anën tjetër. Gjërat i ndau në dy pjesë: 1) Në pjesën e parë hyjnë gjërat për realizimin e të cilave, ose një pjese të tyre, qoftë si përvetësim, nëse janë të mira, qoftë si largim dhe lehtësim, nëse janë të liga dhe të dëmshme, mund të angazhohet njeriu. Për këto gjëra robi duhet angazhuar personalisht dhe duhet mbështetur edhe në Zotin e tij;2) Pjesa tjetër ka të bëjë me gjërat, në përcaktimin e të cilave njeriu nuk ka asnjë ndikim. Këto janë gjëra në të cilat robi e gjen qetësinë, pajtohet me to e u nënshtrohet atyre dhe kjo sigurisht se është shkak për ta gjetur kënaqësinë e për t'i larguar brengat dhe pikëllimin. Kapitulli III SHKAKU MË I RËNDËSISHËM I PREHJES DHE QETËSISË SHPIRTËROREPërmendja e Allahut (dhikri) është një ndër shkaqet kryesore që zemrës i sjell kënaqësi dhe e bën të lumtur. Shpeshtimi i dhikrit ka ndikim të jashtëzakonshëm në qetësinë dhe në prehjen shpirtërore, në njërën anë, dhe në largimin e brengave dhe pikëllimit, në anën tjetër. Allahu i Lartësuar ka thënë:﴿ أَلَا بِذِكۡرِ ٱللَّهِ تَطۡمَئِنُّ ٱلۡقُلُوبُ ﴾“Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut!" (Er Rrad, 28)Përmendja e Allahut ka ndikim të pamohueshëm në jetësimin e qetësisë shpirtërore për shkak të mirësisë dhe shpërblimit të cilin robi synon të arrijë duke e praktikuar atë. Shkak tjetër i përjetimit të kësaj kënaqësie shpirtërore është edhe shfaqja e mirësive të Allahut, të dukshme dhe të padukshme, sepse kjo e motivon për ta falënderuar Allahun, që është grada më e lartë, madje edhe nëse njeriu është në gjendje varfërie, sëmundjeje apo lloj tjetër sprovash. Kjo, për shkak se nëse bën një krahasim ndërmjet dhuntive të panumërta që i janë dhënë dhe të këqijave që e kanë goditur, do të vërejë se dallimi ndërmjet tyre është i madh, andaj nuk do të lejojë që ca të këqija të dominojnë kundrejt të mirave të shumta. Madje, nëse njeriu gjatë sprovave bën durim dhe pajtohet me to duke iu nënshtruar Allahut, jo vetëm që do t'i lehtësohen për t'i tejkaluar, por llogaritja në shpërblimin e Allahut për durimin karshi tyre dhe pajtimi me caktimin e Allahut do të ndikojnë që gjërat e hidhura të kenë shije të këndshme. Ëmbëlsia e shpërblimit do ta bëjë ta harrojë shijen e hidhur të sprovës. Si mjet i dobishëm në këtë aspekt mund të aplikohet edhe ai që i Dërguari ﷺ ka paraparë në këtë hadith:«انظروا إلى من هو أسفل منكم ولا تنظروا إلى من هو فوقكم، فإنه أجدر أن لا تزدروا نعمة الله عليكم.» “Shikoni ata që janë më poshtë se ju (në çështjet e dynjasë), e mos i shikoni ata që janë mbi ju, sepse kjo është më e ndershme që të mos përbuzni mirësinë e Allahut ndaj jush!"[2]Po qe se njeriu e praktikon këtë kriter në jetën e tij, do të shohë se ka shëndet më të mirë se shumë robër të Allahut, sikur që ka gjendje ekonomike më të mirë sesa shumë njerëz, dhe kjo medoemos do të ndikojë që frika, trishtimi dhe brenga të largohen, ndërsa gëzimi i tij për faktin se është më i privilegjuar se shumë robër të tjerë të Allahut, do të shtohet.Sa më shumë që të shtohet meditimi i robit në mirësitë e Allahut që i janë dhuruar, qofshin të dukshme apo të padukshme, shpirtërore apo materiale, ndien se Allahu i ka dhënë mirësi të shumta dhe i ka larguar të këqija të panumërta, rrjedhimisht kjo ia largon pikëllimin duke ia sjellë gëzimin. Kapitulli IV SHKAQET QË SJELLIN GËZIMIN DHE LARGOJNË BRENGAT E PIKËLLIMIN Shkak tjetër që largon brengat dhe sjell lumturinë është edhe përpjekja për të eliminuar shkaqet që çojnë kah dëshpërimi dhe pikëllimi, në njërën anë, dhe sigurimi i kushteve për gëzimin dhe lumturinë, në anën tjetër. Kjo ndodh duke i harruar të këqijat, fatkeqësitë dhe belatë, që kanë ndodhur në të kaluarën, si dhe duke e ditur se preokupimi me këto gjëra është ngarkim i panevojshëm dhe i dëmshëm ndaj vetvetes, është budallallëk dhe çmenduri, kështu që përpiqet ta shmangë zemrën nga të menduarit rreth këtyre gjërave, si dhe nga frika për të ardhmen, gjegjësisht për gjërat që mund ta shqetësojnë, si: varfëria, frika, e liga dhe të këqija të tjera. Besimtari e di se e ardhmja me të mirat dhe të këqijat, shpresat dhe frikën është e panjohur për të, se ajo është në dorën e Allahut dhe se prej tij nuk kërkohet asgjë tjetër përveç angazhimit për t'i përvetësuar të mirat dhe për t'i larguar të këqijat. Besimtari e di se, e ardhmja nuk e mban nën frikë nëse mbështetet në Allahun për të përmirësuar veten e tij dhe nëse ndien qetësi shpirtërore me caktimet e Tij. Andaj, zemra e tij do të qetësohet, hallet e tij do të përmirësohen dhe brenga e frika do t'i largohen. Ndër gjërat më të dobishme që duhet aplikuar për vëzhgimin e të ardhmes së gjërave është lutja që Muhamedi ﷺ e bënte:»اللهم أصلح لي ديني الذي هو عصمة أمري، وأصلح لي دنياي التي فيها معاشي، وأصلح لي آخرتي التي إليها معادي، واجعل الحياة زيادة لي في كل خير، والموت راحة لي من كل شر.«“O Allahu im! Ma përmirëso fenë, që është mbrojtje e çështjes sime, ma përmirëso dynjanë në të cilën jetoj dhe ma përmirëso ahiretin në të cilin do të kthehem. Ma bëj jetën shtesë të çdo të mire dhe bëma vdekjen rehati kundrejt çdo të keqeje." (Shënon Muslimi)»اللهم رحمتك أرجو فلا تكلني إلى نفسي طرفة عين، وأصلح لي شأني كله، لا إله إلا أنت.«“O Allahu im! Shpresoj në mëshirën Tënde, ndaj mos më lër të mbështetem në veten time as sa një pulitje syri. Ma përmirëso tërë gjendjen. Ti je i Vetmi që meriton të adhurohet!"[3]Nëse robi e bën këtë lutje me përkushtim, nijet të sinqertë dhe përpjekje konkrete për ta realizuar atë, atëherë Allahu i Madhëruar do t'ia përmbushë nevojën, do t'ia plotësojë kërkesën dhe brengat do t'ia shndërrojë në gëzim e në kënaqësi. Kapitulli V SHKAQET MË EFEKTIVE PËR LARGIMIN E PIKËLLIMIT DHE BRENGAVE KUR NA GODET NDONJË FATKEQËSINdër shkaqet (mënyrat) më të dobishme për largimin e pikëllimit, ankthit dhe brengave është që, kur të ndodhë ndonjë fatkeqësi, të paramendosh mënyrën më të keqe se si mund të mbarojë kjo çështje dhe të ambientohesh me të. Pasi ta bëjë këtë, le të nxitojë që t'ia lehtësojë vetes aq sa ofrojnë mundësitë dhe sipas vendit e rrethanave. Përmes këtij ambientimi dhe duke u marrë me këtë angazhim të dobishëm do të largohen brengat e dertet dhe vendin e kësaj do ta zërë angazhimi për përvetësimin e të mirave dhe largimin e të këqijave që mund të largohen.E, nëse ndodh që ta godasin shkaqet e frikës, sëmundjeve, varfërisë dhe mospasjes së gjërave që i do, atëherë le t'i pranojë me qetësi shpirtërore, gjakftohtësi dhe përgatitje psikike, sepse kjo ndikon në përballimin më të lehtë të fatkeqësive dhe në largimin e tyre tërësisht. Kjo mund të ketë efekt edhe më të madh në qoftë se përgatitjes psikike ia shtojmë edhe angazhimin konkret. Kështu, kur bindjet dhe vullneti të bëhen bashkë, e me to të jetë edhe mbështetja dhe besimi i madh në Allahun, atëherë këto, përveç shpërblimit që robi shpreson për to, kanë ndikim të madh edhe në realizimin e shkaqeve të lumturisë dhe zemërgjerësisë së tij. Përvoja e ka dëshmuar një gjë të tillë. Kapitulli VI ILAÇET MË TË RËNDËSISHME PËR SHËRIMIN E SËMUNDJEVE SHPIRTËRORE, NERVORE DHE FIZIKEKurimi më serioz dhe më efektiv që u bëhet sëmundjeve të zemrës dhe atyre të trupit është fuqia shpirtërore, e cila nuk e lejon njeriun t'u nënshtrohet dobësive dhe iluzioneve që vijnë si pasojë e mendimeve të këqija. Kjo për shkak se njeriu kurdoherë që u nënshtrohet iluzioneve, ndikimeve të jashtme të zemrës, si: frika nga sëmundjet dhe gjërat e tjera, hidhërimi dhe shqetësimi për shkak të problemeve, pritja e ndodhjes së gjërave të këqija dhe humbjes së të mirave, do të sprovohet me brenga e derte, me sëmundje shpirtërore e fizike, me rënie të imunitetit, pasojat e të cilit nuk janë të pakta.Por, sa herë që zemra mbështetet në Allahun, nuk do t'u nënshtrohet mendimeve të këqija, do të shpresojë në mirësitë e Tij, atëherë brengat dhe shqetësimet do t'i largohen, e bashkë me to edhe shumë sëmundje shpirtërore e fizike. Rrjedhimisht, zemra do të përjetojë një gëzim dhe kënaqësi që fjalët nuk mund t'i përshkruajnë. Sa shpesh njeriu është shtruar në spital për shkak të mendimeve të këqija dhe iluzioneve! Sa e sa njerëz të shëndoshë e zemërfortë, veçanërisht të dobëtit, janë dobësuar nga mendimet e këqija, e sa të tjerë janë çmendur fare! Atyre u shpëton vetëm ai që Allahu e ka shpëtuar dhe që ka nxituar për të luftuar të keqen brenda vetvetes së tij dhe për të krijuar terren për gjërat e dobishme dhe për largimin e të këqijave. Allahu thotë:﴿وَمَن يَتَوَكَّلۡ عَلَى ٱللَّهِ فَهُوَ حَسۡبُهُ ﴾“Allahu i mjafton kujtdo që mbështetet tek Ai..." (Et Talak, 3)Domethënia e ajetit është se, Allahu i Madhëruar do t'i mjaftojë për çdo gjë që i duhet nga gjërat e kësaj dhe botës tjetër. Ai që mbështetet në Allahun ka zemër të fortë, në të cilën iluzionet dhe mendimet e këqija nuk kanë as ndikimin më të vogël. Ai nuk shqetësohet nga zhvillimi i ngjarjeve ngase e di se vetëm njerëzit me personalitet dhe karakter të dobët shqetësohen. Ai e di se Allahu i ka garantuar mbulim të plotë, kështu që i beson Allahut dhe premtimit të Tij për t'ia larguar brengën dhe frikën, ankthin dhe shqetësimin, si dhe për ta shndërruar të vështirën në të lehtë, të pakalueshmen në të gëzueshme, frikën në siguri...Allahun e Madhëruar e lusim të na shpëtojë, e lusim të na begatojë me zemër të fuqishme, me vendosmëri të pathyeshme në mbështetjen e plotë, për të cilën Allahu u ka garantuar robërve çdo të mirë dhe largim të çdo të keqeje, të lige dhe të padëshirueshme! Kapitulli VII RRETH FJALËS SË MUHAMEDIT ﷺ: Besimtari nuk e urren besimtaren...Në thënien e Muhamedit ﷺ:«لا يفرك مؤمن مؤمنة إن كره منها خلقا رضي منها خلقا آخر.» “Besimtari nuk ndodh ta urrejë (tërësisht) besimtaren. Nëse ia urren ndonjë sjellje, ia pëlqen tjetrën."[4] burojnë dy mësime të rëndësishme:1) Udhëzime për mirësjellje ndaj gruas, të afërmit, mikut, dhe çdokujt tjetër me të cilin ke lidhje. Duhet të jesh i vetëdijshëm se ata medoemos do të kenë të meta apo gjëra që ti i urren, porse, kur të hasësh në to, krahasoji me detyrimin dhe përgjegjësinë që ke për t'i mbajtur lidhjet të forta dhe mbi themele të dashurisë dhe respektit, si dhe përfitimet, qoftë si individ, qoftë si shoqëri (që realizohen nga ruajtja e lidhjeve me të tjerët). Kështu, duke mbyllur sytë para të këqijave dhe duke u përqendruar te mirësitë, ruhen lidhjet dhe sigurohet qetësia shpirtërore;2) Udhëzimet dhe rekomandimet për largimin e brengave dhe stresit, ruajtjen e çiltërsisë shpirtërore, vazhdimin me përmbushjen e obligimeve të detyrueshme dhe të tjerave të preferuara, si dhe realizimin e qetësisë, paqes dhe interesit të përbashkët. Ai që nuk i jetëson këto rekomandime profetike dhe mbyll sytë përballë të mirave, medoemos që do të stresohet, lidhjet e tij me të dashurit do të zbehen dhe do të njollosen. Ndërkaq, do të shkëputen dhe do të humbasin shumë të drejta dhe obligime të ndërsjella që të dyja palët (individi dhe të tjerët) do të duhej t'i ruanin. Është interesante se si shumë njerëz gjejnë forcë dhe guxim të sfidojnë probleme të mëdha, por jo edhe probleme të vogla. Të voglat ua njollosin karakterin, ua dëmtojnë imazhin, i mbajnë të stresuar. Me gjasë shkak është nënvlerësimi i tyre. Janë parapërgatitur shpirtërisht për problemet e mëdha, kurse të voglat i kanë nënvlerësuar. Të mençurit veprojnë ndryshe: përgatiten për çdo gjë dhe vazhdimisht e lusin Allahun t'u ndihmojë që të mos i lërë të vetëm në përballimin e tyre. Kësisoj, problemet e vogla lehtësohen sikurse të mëdhatë, ndaj robi mbetet i çliruar dhe i qetë shpirtërisht. Kapitulli VIII PËR TË MENÇURIN QË E DI SE JETA E TIJ E VËRTETË ËSHTË JETA E LUMTURISË DHE QETËSISË DHE SE AJO ËSHTË E SHKURTËR I mençuri e di se jeta e tij e vërtetë është ajo (pjesë) e lumturisë dhe prehjes shpirtërore, pjesë kjo jo e gjatë, andaj nuk dëshiron ta shkurtojë me brenga e derte që janë kundër jetës së vërtetë. Nuk lejon që pjesa më e rëndësishme e jetës së tij të jetë plaçkë e brengave dhe derteve. Në këtë aspekt vepërmiri dhe vepërprishuri janë të barabartë, porse besimtari vepërmirë dallon për hise më të madhe dhe më të dobishme në këtë dhe në botën tjetër. Gjithashtu duhet që, kur e godet ndonjë fatkeqësi, t'i krahasojë begatitë dhe mirësitë shpirtërore e materiale që i janë dhënë me këtë të ligë apo fatkeqësi. Kjo do t'ia qartësojë dallimin ndërmjet mirësive të panumërta që i zotëron dhe kësaj të lige, që këtë të fundit do ta shkrinte dhe do ta minimizonte krejtësisht.Krahasim mund të bëjë edhe ndërmjet të këqijave që ka frikë se do t'i ndodhin dhe mundësive të shumta që t'u përvidhet atyre. Nuk duhet lejuar dominimin e të ligës së supozuar kundrejt zgjidhjeve të tjera të forta dhe të shumta. Kësisoj do ta largojë frikën dhe brengën e tij. Le t'i paramendojë të ligat që mund t'i ndodhin dhe le ta forcojë veten për ndodhjen e tyre, nëse tashmë kanë ndodhur (paraprakisht përgatitet psikikisht për to), kështu që angazhohet për të mos lejuar zhvillimin e atyre që nuk kanë ndodhur dhe minimizimin e dëmeve të atyre që tanimë kanë ndodhur apo edhe largimin e tyre. Ndër gjërat e dobishme është që të dish se të këqijat që i bëjnë njerëzit kundrejt teje, sidomos fjalët e këqija, i dëmtojnë ata e jo ty, përveç nëse iu lë shtigje, merresh me to dhe lejon që të t'i manipulojnë ndjenjat e tua. Në këtë rast ti do të viktimizohesh.Dije se jeta jote është paralele me mendimet dhe idetë e tua. Nëse ato janë të mira, do të kesh jetë të mirë dhe të qetë, përndryshe do të të kaplojë belaja. Ndër gjërat më të dobishme për t'i larguar brengat është që falënderimin t'ia kërkosh vetëm Allahut. Nëse i ke bërë mirë ndokujt që (s')ke detyrim ndaj tij, dije se ti në të vërtetë ke shfaqur mirësjellje me Allahun, kështu që mos u merr me falënderimin e tyre, por bëhu sikur robërit e dalluar të Allahut, të cilët thonë:﴿ إِنَّمَا نُطۡعِمُكُمۡ لِوَجۡهِ ٱللَّهِ لَا نُرِيدُ مِنكُمۡ جَزَآءٗ وَلَا شُكُورًا ﴾“Ne ju ushqejmë vetëm për hir të Zotit. Për këtë, nuk duam shpërblim e as falënderim!" (El Insan, 9) Kjo do të duhej theksuar më së shumti në raport me familjen (gruan), fëmijët dhe të tjerët me të cilët ke lidhje të forta (prindërit, farefisin). Kurdo që e bind veten për të hequr sherret e tyre (për të mos u marrë me to), do të jetë i qetë për veten, por edhe të tjerët do të jenë të qetë prej tij. E, për ta arritur qetësinë dhe lumturinë shpirtërore duhet përvetësuar tiparet e mira dhe duhet vepruar në përputhje me to e jo duke e ngarkuar veten, por duke iu përgjigjur shtytjes dhe motivit shpirtëror. Përndryshe, po e ngarkove veten me se stresohesh, atëherë do të humbasësh sepse ke zgjedhur rrugë të gabuar. Është urtësi përzgjedhja e rrugës së duhur, siç është urtësi që nga 'ferrat ta nxjerrësh trëndafilin'. Kjo do ta bënte më të veçantë kënaqësinë dhe do t'i largonte brengat. Gjërat e mira le të të rrinë përherë para sysh. Puno dhe angazhohu që t'i posedosh. Mos e drejto kokën nga gjërat e dëmshme dhe të këqija për t'ia sjellë vetes me ose pa vetëdije brengat, shqetësimin dhe problemet. Çlirohu dhe përgatitu psikikisht për punë të rëndësishme. Ndër gjërat më të rëndësishme dhe njëkohësisht më të dobishme është që të mos e shtysh për më vonë kryerjen e punëve. Kryeji menjëherë dhe mos e ngarko agjendën e së ardhmes. Nëse i kryen punët në kohën e vet, e ardhmja nuk do të të gjejë të mbingarkuar, përkundrazi, do të jesh më i përgatitur për to, shpirtërisht dhe fizikisht. Edhe një gjë ta kesh parasysh: nga punët e mira përzgjidh më parësoren, e kështu me radhë. Veçoji gjërat për të cilat ke pasion dhe kërshëri kundrejt gjërave të tjera, ngase këto të fundit të shkaktojnë monotoni, lodhje dhe plogështi. Ndihmoje veten duke menduar e duke medituar, si dhe duke u konsultuar me të tjerët, sepse 'nuk ka dështuar ai që është konsultuar me të tjerët'. Studioje mirë atë që dëshiron të bësh dhe, nëse bindesh se ke leverdi prej saj, vendos për ta bërë, mbështetu në Allahun sepse Allahu i do ata që i mbështeten Atij. Falënderimet i takojnë Allahut, kurse lëvdatat, paqja dhe mëshira qofshin mbi Muhamedin, mbi familjen dhe mbi shokët e tij! BIOGRAFI E SHKURTËR E AUTORITLibri që kemi para duarsh paraqet në vija të trasha lumturinë jetësore, të cilën njeriu e ëndërron dhe angazhohet për realizimin e saj. Këta parametra lumturie përmbajnë ngjyrë të argumenteve të Kuranit dhe Sunetit, që paraqesin lumturinë e vërtetë, të cilën e shpreson besimtari, lumturinë të cilën e përjeton bashkësia apo komuniteti i besimtarëve. Kjo për shkak se lumturia nënkupton organizimin e jetës së kësaj shoqërie dhe rregullimin e saj mbi bazën e devotshmërisë ndaj Allahut të Madhëruar e kënaqësisë së Tij. Autor i këtij libërthi është hoxha dhe dijetari i madh, ekselenca Abdurrahman ibn Nasir ibn Abdullah Es Sadi. Ai ka lindur në qytetin Unejzë, në Kasim, që gjeografikisht shtrihet në krahinën e Nexhdit, në Mbretërinë e Arabisë Saudite. Megjithëqë babai i vdiq duke qenë në fëmijërinë e hershme, kjo nuk e pengoi nga përkushtimi në nxënien e dijes. Kështu, nisi me memorizimin e Kuranit, të cilin në mënyrë të plotë dhe të kompletuar e kreu në moshën dymbëdhjetëvjeçare. Menjëherë e filloi përvetësimin e dijeve dhe shkencave, duke i marrë ato sipas metodës klasike nga dijetarët e Unejzës dhe nga të tjerët që e vizitonin këtë qytet.Ishte i zellshëm dhe tejet i përkushtuar në mësime, ndaj zuri dije dhe njohuri të shumta. Në moshën njëzetetrevjeçare filloi që, krahas studimit, të jepte mësim, mësonte për vete, por i mësonte edhe të tjerët. Kështu vazhdoi gjatë gjithë jetës, duke mos iu ndarë përfitimit të dijeve, por edhe duke mësuar shumë nxënës e studentë. Janë të shumtë ata që kanë mësuar dhe që kanë përfituar nga dijet dhe njohuritë e tij. Hoxhë Abdurrahman Es Sadi ka mësuar te dijetarë të njohur, si: · Hoxhë Ibrahim ibn Hamed ibn Xhasiri, që ka qenë mësuesi i tij i parë; · Hoxhë Salih ibn Othmani, që ka qenë edhe gjykatës i Unejzës. · Te hoxhë Salihu ka mësuar usulin, fikhun, teuhidin, tefsirin dhe gjuhën arabe, tek i cili i vijoi mësimet derisa vdiq ky i fundit.Hoxhë Abdurrahman Es Sadi zotëronte njohuri të shumta në fikh dhe në usul, siç ka pasur eksperiencë të plotë në teuhid dhe në çështjet që kanë të bëjnë me të. Sigurisht në këtë ka ndikuar lidhja që kishte me librat e Ibn Tejmijes dhe Ibn Kajimit. Ka qenë i përkushtuar edhe në tefsirin dhe në degët e tij. Ishte thelluar në të derisa edhe u bë një lloj reference. Në lëmin e tefsirit ka një mori veprash goxha të rëndësishme, si: · Tejsirul Kerimi Rrahman fi tefsiri Kelamil Menan (تيسير الكريم الرحمن في تفسير كلام المنان), tetë vëllime; · Tejsirul Letifil Menan fi hulasati tefsiril Kuran (تيسير اللطيف المنان في خلاصة تفسير القرآن); · El Kavaidul hisan li tefsiril Kuran (القواعد الحسان لتفسير القرآن). Natyrisht që ka edhe vepra të tjera të rëndësishme, disa prej të cilave, si propozim dhe këshillë për t'i përvetësuar, po jua paraqesim në vijim: · El Irshad ila marifetil ahkam (الإرشاد إلى معرفة الأحكام); · Er Rrijad en-nadireh (الرياض الناضرة); · Behxhetu kulubil ebrar (بهجة قلوب الأبرار); · Menhexhu es salikine ue teudihul fikhi fid din (منهج السالكين وتوضيح الفقه في الدين); · Hukmu shurbi duhan ue bejihi ue shiraihi (حكم شرب الدخان وبيعه وشرائه); · El Fetava es sadijeh (الفتاوى السعدية); · El Hakkul uadihul mubin bi sherhi teuhidil enbijai uel murselin (الحق الواضح المبين بشرح توحيد الأنبياء والمرسلين); · Teudihul kafijeti shafijeh (توضيح الكافية الشافية (نونية ابن القيم)).Ka tri përmbledhje hutbesh, siç ka libra, punime dhe hulumtime të tjera të shumta në fikh, teuhid, hadith, usul, probleme shoqërore, fetva etj.Papritmas hoxhë Abdurrahman Es Sadi u sprovua me një sëmundje të rëndë, e cila sinjalizonte afrimin e vdekjes së tij. Kështu, pas një jete të tërë në shërbim të fesë e dijes në natën e së enjtes, më 23 xhumade eth thani 1376, në qytetin e Unejzës, vdiq hoxha ynë i dashur, duke lënë kujtime të çmuara pas vetes. Të gjithë ata që e njohën, që dëgjuan për të apo që lexuan librat e tij, përjetuan goditje dhe pikëllim të madh nga humbja e tij. Allahu e pastë mëshiruar hoxhën tonë të dashur, ndërsa neve na mundësoftë të përfitojmë nga dija e tij![1] Kjo është vërtetuar në hadithin e shënuar nga Buhariu dhe Muslimi.[2] Hadithin e shënojnë Buhariu, Muslimi dhe Ahmedi.[3] Shënon Ebu Davudi me sened autentik.[4] Hadithin e shënon Muslimi.

المرفقات

2

Mjete të përshtatshme për një jetë të rehatshme
Mjete të përshtatshme për një jetë të rehatshme